Kosova

Kurti u drejtohet serbëve të Kosovës: Na duhen zgjedhje të reja për të cilat duhet shtet ligjor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në komunat në veri të Kosovës është i nevojshëm, por me një fushatë të lirë parazgjedhore. Ai theksoi se për ta realizuar një gjë të tillë nevojitet shtet ligjor.

“Pra, një mjedis ku nuk ka frikë dhe kriminelë. Kjo është ajo që ne duam dhe duhet ta arrijmë së bashku”, ka thënë Kurti në një video-fjalim drejtuar komunitetit serb në gjuhën e tyre amtare.

Ai po ashtu tha se “me sundimin e ligjit, gradualisht mund ta zvogëlojmë numrin e policëve në ndërtesat komunale”.

Më 26 maj, Policia e Kosovës asistoi në hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, gjë që u kundërshtua ashpër nga popullata serbe, e cila është shumicë në atë rajon. Në ato objekte punojnë edhe komunat paralele sipas sistemit serb, të cilat janë ilegale për Kosovën.

Serbët lokalë në veri të Kosovës i kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe tani nuk i pranojnë rezultatet e tyre.

Që nga 29 maji, ata kanë protestuar çdo ditë me kërkesat që kryetarët shqiptarë të mos dalin në punë dhe të tërhiqen tërësisht njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Në fjalimin e tij drejtuar serbëve në veri, kryeministri Kurti tha se është e nevojshme që në të ardhmen “të zbatohet plotësisht dhe pa kushte Marrëveshja bazë e Brukselit, pjesë përbërëse e së cilës është edhe Aneksi i Ohrit”.

Kurti akuzoi autoritetet në Beograd dhe Partinë Progresive Serbe për “politizimin e kriminelëve” dhe tha se Kosova po e lufton korrupsionin.

“Të ecim së bashku drejt një të ardhmeje më të mirë, duke ndërtuar ura të forta, shkaku i asaj që duam për veten dhe familjet tona. Shtëpia është shtëpi, vendi ynë është shtëpia e të gjithë neve”, tha Kurti, duke theksuar se nuk dëshiron luftë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë