Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti akuzoi Beogradin zyrtar se po tenton të ndërhyjë në zgjedhjet lokale të së dielës në Kosovë.
Ai i kërkoi Bashkimit Europian që të sanksionojë Serbinë për shkak të shkeljes së parimeve të fqinjësisë së mirë dhe shkeljen e marrëveshjes bazë të Brukselit.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi në benefite sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërore të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë siç bëri së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit atje, Millosh Vuçeviç, e siç ka bërë edhe vet presidenti i Serbisë, Vuçiç, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrje e Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet e shteteve të tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. E me gjithë këto Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Europian andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani në zgjedhjet në Kosovë është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Europë”, tha Kurti në mbledhjen e qeverisë.
Kreu i ekzekutivit të Prishtinës tha se Serbia nuk po ndryshon sjellje pasi nuk po ka pasoja për veprimet e saj.
“I bëjmë thirrje BE që ta dënojnë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë shtet ky kandidat për anëtarësim në BE për veprime të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin marrëveshjen bazë të Bruskelit”, theksoi Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



