Kosova

Kurti-Borrell, bisedojnë për kornizën e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë

Pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Sipas njoftimit të Qeverisë thuhet se Kurti dhe Borrell folën për procesin e dialogut, mbarëvajtjen e tij, për përmbajtjen e kornizës themelore të marrëveshjes dhe që për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.

Kryeministri Kurti u shpreh se paqja dhe siguria në njërën anë dhe sundimi i ligjit dhe demokracia në anën tjetër shkojnë bashkë kudo në Kosovë.

Kurti ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për reciprocitetin e targave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë