Kosova

Kurti: Të gatshëm për zgjedhje të parakohshme por duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot

Nga Gazeta ‘Si’-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të vendit për shtensionimin e situatës.

Në një konferencë shtypi një ditë pas vizitës së Lajçak në Prishtinë, Kurti tha se është dakord për mbajtjen e zgjedhjeve, por shtoi se duhet të bëhen përgatitje që të ketë një fushatë të drejtë dhe të mos ketë sërish bojkot.

“Në takimin e djeshëm me Miroslav Lajçak kemi diskutuar për deeskalim edhe normalizim. I kam siguruar që policët që janë nëpër ndërtesa të komunave, nuk janë duke zhvilluar operacione në rrethinën e atyre ndërtesave. Kam shprehur gatishmërinë tonë për zgjedhje të parakohshme në veri. Sepse vetëm zgjedhjet e parakohshme janë mundësia për ndërrimin e pushtetit. Duhet të catojmë datën, veç të ketë fushatë të drejtë, të mos ketë kërcënime. Duhet përgatitje. Për ta larguar kryetarin në Lepasoviq kjo bëhet me zgjedhje. Zgjedhjet e parakohshme janë ato që largojnë kryetarin e komunës. Zgjedhjet e parakohshme do duhet të përgatiten”, u shpreh Kurti ndërsa theksoi se nuk mund të garantojë pjesëmarrjen e Listës Serbe. 

Ai hodhi poshtë pretendimet se nuk po arrihet shtensionimi i situatës dhe normalizimi i raporteve me Serbinë, pasi nuk ka një marrëveshje. Kurti deklaroi se Marrëveshje drejt normalizimit, që palët kanë nënshkruar në shkurt në Bruksel dhe aneksin e saj në Ohër një muaj më pas, ekziston dhe se ajo duhet të zbatohet në tërësi.

“Unë kam kërkuar dje që gjithçka që është në Marrëveshjen Bazë të figurojë edhe në sekuencën e zbatimit. Pra, të mos kemi diçka që e lëmë anash”, tha Kurti, duke shtuar se këtë kërkesë e ka bërë gjatë takimit që të martën zhvilloi në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kurti gjithashtu konfirmoi se kanë marrë informacion që Serbia po kontrabandon armë përmes autoambulancave. Ai tha se për këtë çështje gjatë ditës do të takohet me komandantin e KFOR-it, si dhe përfaqësuesit e NATO-s.

“Kemi informacion se veturat e ambulancave janë përdorur për të bartur armatim. Unë sot do ta kem një takim me përfaqësuesit e NATO-s për këtë gjë. Do ta takoj edhe komandantin e KFOR-it. Dhe pas këtyre takimeve edhe me organet tona të sigurisë, do të mundë ta japim fjalën përfundimtare.

Jemi duke grumbulluar të dhëna dhe informacione. Nuk është mirë që unë të jap informacion për informacionin ende të paplotësuar, por brenda kësaj jave duhet të dihet kjo çështje. Andaj, sot kam një takim ku do të shtrohet kjo temë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë