Gazeta Si – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media ka thënë se është i gatshëm për të udhëtuar në Bruksel për të dialoguar sa herë që të thërrasë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politika të jashtme, Josep Borrell.
Ai thotë se dialogu duhet të jetë parimor dhe i baraspeshuar.
Por shtoi se “dialogun e duam për marrëveshje – ky dialog për marrëveshje nënkupton se çfarë marrëdhëniesh do të kenë Kosova me Serbinë, e ne besojmë se duhet të jenë marrëdhënie normale, patjetër në qendër ta përmbajë njohjen reciproke.
Është një shteg i qartë, i saktë dhe i mirë për të cilin natyrisht kemi shprehur qëndrimet tona, por edhe qasjen tonë konstruktive”, tha Kurti.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se ai bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se nuk ka nevojë në Kosovë për një Asociacion që rrit tensionet e prish raportet.
“Se ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se edhe serbët në Kosovë, porsi shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët, egjiptianët, ashkalinjtë, e gjithë qytetarët, kanë nevojë për drejtësi e punës, e jo për asociacione që na shtojnë tensione e na prishin raportet tona dhe e gëzojnë dikë në Beograd.
Nuk ka qenë asnjëherë kërkesë e serbëve të Kosovës formimi i Asociacionit. Ata duan drejtësi e punësim. Duhet dalluar kërkesat që vinë nga poshtë e që kanë karakter demokratik e shoqëror, prej kërkesave që vinë nga lartë e që kanë karakter jodemokratik e hegjemonik. Pra Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që kushtetutshmëria e ligjshmëria në gjithë territorin e Kosovës të respektohet e të zbatohet në mënyrë të plotë. Për të gjitha kërkesat e serbëve të Kosovës unë jam kryeministër edhe i tyre”, tha Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




