Ashtu edhe siç e kishte paralajmëruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark me të cilët diskutoi rreth situatës së krijuar në veri të vendit.
Kreu i qeverisë iu tha dy zyrtarëve se liria e lëvizjes duhet të rivendoset sa më shpejt dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.
Gjatë takimit, u diskutua dhe për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
Një ditë para Krishtlindjes, Albin Kurti deklaroi se po pret reagimin e KFOR për çështjen e barrikadave dhe shtoi se Kosova nuk mund të presë më gjatë për largimin e tyre dhe rikthimin e lëvizjes në veri.
Kryeministri ka akuzuar drejtpërdrejtë qeverinë serbe se mbështet strukturat kriminale në vendosjen e këtyre barrikadave të cilat tashmë janë në rrugë prej 10 dhjetorit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




