Gjatë orëve të para të qëndrimit në Konferencën e Sigurisë në Munih, Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një takim me komisionarin e BE-së për Buxhet dhe Administratë, Johannes Hahn, nga i cili ka kërkuar më shumë fonde për Kosovën.
“Integrimi në BE ka të bëjë me reforma të lidhura me vlerat e BE-së. Me treguesit e mirë ekonomikë dhe me performancën e mirë në sundim të ligjit, ne duhet të marrim më shumë fonde nga BE-ja. I kërkova Johannes Hahnit, komisionarit për Buxhet dhe Administratë, për më shumë mbështetje për arsimin dhe punësimin e të rinjve tanë”, shkroi Kurti në Twitter pas takimit me zyrtarin e BE-së.
Shefi i Qeverisë do të jetë i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga Kryeministria, Kurti do të qëndrojë atje për tri ditë, gjatë të cilave do të zhvillojë takime të ndryshme bilaterale.
Ndërkaq, në konferencë do të marrë pjesë edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani.
Në njoftimin e bërë nga Presidenca thuhet se, në margjina të MSC-së, presidentja Osmani do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me liderë të tjerë botërorë, si dhe me krerë të organizatave ndërkombëtare.
“Presidentja Osmani do të marrë pjesë po ashtu edhe në panele diskutimi për çështjet e lidhura me sigurinë, duke përfshirë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e paraqitura për kombet demokratike në mbarë botën”, thuhet në njoftim.
MSC-ja është themeluar më 1963 dhe që nga atëherë është një forum i pavarur, në të cilin promovohen zgjidhjet paqësore të konflikteve, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe dialogu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




