Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.
Bëhet e ditur se vazhdimi i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe përfaqësuesve të BE-së si dhe me shtetet e QUINT-it ishte në qendër të këtij takimi.
Po ashtu në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, si dhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ku u diskutua për Marrëveshjen mbi zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë, që mundëson pagesën e energjisë nga konsumatorët në komunat në veri të Kosovës, si dhe për zbatimin e marrëveshjes me ENTSO-E dhe rëndësinë që ka kjo për sovranitetin e vendit.
Gjithashtu u fol edhe për zhvillimet politike në vend, si dhe gjendjen e sigurisë në vend e rajon.
“Duke biseduar lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, u ritheksua angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialog parimor dhe të balancuar, për marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë. /Zëri
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




