Kosova

Kurti takohet me nënkryetaret serbe të komunave veriore. Diskutojnë anëtarësimin e Kosovës në KiE

Nga Gazeta ‘Si’ – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka mbajtur një takim me nënkryetarët serbë të komunave veriore.

Të pranishëm ishin nënkryetarja e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Katarina Adançiç, nënkryetarja e Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniç dhe nënkryetarja e Komunës së Leposaviçit, Marina Bogojeviç.

Në takim bashkë me Kurtin ishin edhe ministrat, Nenad Rashiç dhe Elbert Krasniqi.

Kurti deklaroi se në takim u tha edhe nga nënkryetaret se e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre.

“Pas takimeve në Berlin, konsiderova që një hap i duhur është të diskutoj me përfaqësues serbë të komunave veriore. I konsultova mbi nevojat për shërbimet komunale që mund të ushtrohen të bashkërenduara në kuptim të lirisë së asocimit të komunave.

Të gjitha ato më thanë që e shohin anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Europës si një hap të rëndësishëm për fuqizimin e komunave të tyre. Dhe më premtuan që kur do të takojnë përfaqësuesit diplomatikë të QUINT-in do t’ua shprehin këto kërkesa gjithashtu. Ky ishte bashkëbisedimi ynë i dytë në më pak se dy javë. Komunikimi i shpeshtë dhe i rregullt është interesim, kujdes dhe vullnet i dyanshëm për të diskutuar e planifikuar projekte dhe për adresuar sfida e vështirësi”, shkroi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë