Kosova

Kurti e Borrell diskutojnë për veriun dhe planin franko-gjerman në Paris

Dinamizimi i dialogut Prishtinë-Beograd, zbatimi i vendimit për targat ilegale dhe zhvillimet e fundit në Kosovë u diskutuan në takimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, në Paris.

Në këtë takim, të mbajtur të premten para fillimit të Forumit të Paqes, ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe këshilltarët e kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, gjatë këtij takimi, Kurti “theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër” dhe e cilësoi propozimin franko-gjerman si “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.

“Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, thuhet gjithashtu në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Borrell pritet të takohet të premten në orën 18:00 edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Kriza në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga institucionet kosovare, pasoi nisjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, më 1 nëntor.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës dhe nuk ka pranuar të shtyjë datën e nisjes të zbatimit, me gjithë insistimin e komunitetit ndërkombëtar.

Kurti dhe Vuçiqi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë