Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsërti të martën se është i gatshëm të dëshmojë për rastin e rezervave shtetërore dhe i ftoi sërish hetuesit e Prokurorisë Speciale që të shkojnë në zyrën e tij.
Kurti i bëri komentet në Gjilan, ku mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të një kopshti për fëmijë.
Në kohën që ishte atje, përkatësisht në 10:00 të paradites, ai ishte i ftuar të paraqitej në Prokurorinë Speciale të Kosovës, me urdhër nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Megjithatë, Kurti nuk u paraqit atje.
“Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj. Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhet. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit”, deklaroi Kurti.
Sipas tij, ky intervistim ka qenë i mundur që në muajin dhjetor.
“Nëse Prokuroria e ka pasur kaq të rëndësishme, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që synon dëshminë e një dëshmitari nuk humb kohë. Pse humbi Prokuroria tre muaj? Është më e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë më parë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, por këtë liri po e keqpërdor për të luftuar qeverinë, e jo krimin dhe korrupsionin. Nuk ka pasur qeveri që ka luftuar korrupsionin dhe krimin si qeveria jonë në këto katër vite,” tha Kurti.
Kurti tha se ajo që prioritizon Prokuroria flet më shumë për të sesa për krimin dhe korrupsionin.
“Vëreni se cilat raste prioritizohen. Kanë kaluar vite të tëra dhe denoncimet tona ende nuk trajtohen. Nga marsi 2021 deri në gusht 2022, ministrat e qeverisë sime kanë dorëzuar 247 kërkesa për hetime ose kallëzime penale, por asnjëra prej tyre nuk ka prodhuar hetim me aktakuzë. Ajo që prioritizon Prokuroria flet më shumë për të sesa për krimin dhe korrupsionin”, tha ai.
Përderisa Prokuroria nuk ndryshon qasje e as udhëheqje, sipas Kurtit, nuk ka pse të ndryshojë as ai qëndrimin e tij.
“Ju e dini që zgjedhjet nuk mbahen për Kryeprokuror, por për Kuvend dhe qeveri. Kryeprokurorët janë aty të barrikaduar, veçanërisht në Prokurorinë Speciale dhe KPK, dhe kjo është për të ardhur keq. Ky është një dëm i vazhdueshëm dhe një padrejtësi e pafalshme që po i bëhet shtetit tonë. Përderisa Prokuroria nuk ndryshon qasje e as udhëheqje, nuk kam pse të ndryshoj qëndrimin tim,” tha ai para mediave në Gjilan.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



