Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar për sulmet ndaj policisë së Kosovës në veri të vendit.
Pas homazheve që bëri te busti i Zahir Pajazitit në Prishtinë, Kurti deklaroi se këto sulme i quajti terroriste, me synim që të vrasin policët e Kosovës dhe tha se ka kërkuar hetime për zbardhjen e rastit.
“Ne kemi dënuar ashpër këtë sulm i cili ishte sulm terrorist meqenëse me plumba dhe granata u gjuajtën pjesëtarët e policisë të cilët patën fat që pësuan vetëm dëme materiale.
Iu takon organeve të rendit të bëjnë hetime mbi ata që sulmuan për të zbardhur rastin por në anën tjetër edhe për t’u vlerësuar situata e sigurisë se çka duhet të ndërmarrin në vijim në mënyrë që ta pamundësojmë sulme të tilla. Nuk janë sulme mbi të mirat materiale por sulme mbi policët që kanë pasur për qëllim t’i vrasin. Organet e rendit do të bëjnë hetime për hapat tonë përpara. Me strukturat ilegale të Serbisë dhe krimit i organizuar nuk do të ketë tolerancë nga qeveria e Kosovës”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për raportimet e disa mediave serbe, se Britania e Madhe ka dërguar armë raketore në Kosovë. Ai e mohoi një gjë të tillë duke thënë se deklaratat nga Beogradi nuk mund të merren si fakte.
“Deklaratat që vijnë nga Beogradi, nuk bën kurrsesi që t’i merrni si fakte. Këtë na mëson e kaluara dhe e tashmja jonë. Ne e kemi rritur buxhetin me 52% për ushtrinë. Për të gjitha hapat e mëtejshme që ne i marrim, duhet t’i merrni informacionet nga qeveria, ministria e mbrojtjes e nga FSK-së. Mos i merrni deklaratat e tyre për fakte, e pastaj të na bëni pyetje neve”, shtoi mandej kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




