Kosova

Kurti: Subvencioni që kemi ndarë nuk mbulon të gjithë barrën e krizës energjetike, ajo do të vazhdojë përtej dimrit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se çmimet aktuale të energjisë elektrike do të zgjasin përtej dimrit.

Në një konferencë të mbajtur për media lidhur me krizën energjetike sëbashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli,Kurti është shprehur se kjo krizë është trashëguar me vite të tëra.

“Çmimet e tanishme tregojnë se kriza do të zgjasë përtej dimrit. Ministria e Ekonomisë ka shprehur një interesim për të subvencionuar energjinë elektrike deri më 75 milionë euro, për të mos u prekur amvisëritë që konsumojnë deri në 600 kwh në muaj dhe bizneset.”

Kurti theksoi se subvencionimi i ndarë nga Qeveria nuk do të mbulojë të gjithë barrën e krizës energjetike dhe kritikoi qeveritë e kaluara për mungesë të investimeve e keqpërdorime.

“Kjo krizë vetëm sa i ka theksuar problemet e trashëguara. Fatura që ne po paguajmë është ajo e mosveprimit prej rreth 2 dekadave. Jemi duke e ndier edhe vjetërsinë në njësitë tona gjeneruese. Institucionet kanë dështuar në të kaluarën që të informojnë qytetarët.

Në vend që të investohet në zgjerimin e ngrohjes qendrore, ata kanë aprovuar ndërtimin e banesave që varen nga rryma. Çmimet e rrymës tregojnë se kriza do të zgjasë shumë më shumë sesa vetëm këtë dimër. Kosova për 20 vite i është lënë në mëshirë tregtarëve të energjisë. Politikbërësit e kaluar në pozicionet vendimmarrëse, nëpërmjet veprimeve e shpesh edhe heshtjes, prioritet i kanë dhënë prodhuesve të tjerë në shtetet e rajonit”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se vlen të ritheksohet se janë dy faktorë kryesorë qe e kanë shkaktuar këtë krizë: njëri është i jashtëm, pasi Kosova, si shumë shtete, varen nga importi i energjisë elektrike. Faktori tjetër që është determinues është fakti se Kosova është lënë në mëshirë të tregtarëve të energjisë.

“Këto investime, nëse nuk ishte vjedhur pamëshirshëm, sot gjendja me prodhim e kapaciteteve do të ishte krejt ndryshe. Andaj, edhe këto nuk mund t’i quajmë mbi 1 miliard investime, por mbi 1 miliard mjete për KEK-un, ku një pjesë e konsiderueshme nuk mund të quhen investime.

 Nga 2015 është folur për ndërtimin e kapaciteteve të reja, e sikur kjo të ndodhte me kohë, sot nuk do të kishte nevojë për import, por përkundrazi, kriza energjetike do të mundë të sillte përfitime për prodhuesit vendorë. Investitorët seriozë janë përballur me pengesa joligjore.

 Trajtimi i KEK-ut si ndërmarrje kalimtare, e jo si aset i rëndësisë strategjike në vend, e ka lënë Kosovën në një gjendje të mjerueshme dhe gjendja në elektrana vazhdon të jetë e paparashikueshme”, ka shtuar Kurti.

Ai tha se po planifikojnë të shpallin ankandet e para për ndërtimin e kapaciteteve të reja të pastra dhe si aksionarë të vetëm të KEK-ut.

Ministrja Rizvanolli tha se do të kërkojnë sqarime shtesë dhe do të japin propozime aty ku mendojnë se gjërat mund të bëhen më mirë.

“Propozimi i ZRRE-së nuk është final. Ai është në diskutim publik. Ne do ta trajtojmë raportin. Do të kërkojmë sqarime shtesë dhe do të japim edhe propozime për ato ku mendojmë se gjërat mund të bëhen më mirë. Mirëpo një gjë është e qartë dhe ka qenë e qartë edhe para se ta shohim këtë raport”, tha ajo.

Ministrja përsëriti njoftimin se kostot e importit të energjisë elektrike janë rritur shumë, ndërsa tha se subvencionimi nga Qeveria është i pashmangshëm.

“Qeveria nuk miraton, as nuk ka përgjegjësi në vendimet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ndërhyrja në vendimet e tyre do të ishte e jashtëligjshme. Mirëpo ne zotohemi se çfarëdo vendimi që ZRRE-ja do ta marrë, ne do të përkushtohemi të ndihmojmë përmes instrumenteve që i kemi në dispozicion për të siguruar sigurinë e furnizimit me energji elektrike, mbrojtjen e konsumatorëve – në radhë të parë atyre që e shfrytëzojnë energjinë elektrike racionalisht sipas nevojës – si dhe në mbrojtje të vendeve të punës”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë