Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar pas samitit të Procesit të Berlinit se nuk tërhiqet për çështjen e konvertimit të targave nga serbët.
“Shtyrja 10 mujore nuk mund të jetë shtyrje. Shtyrja mund të jetë tri, javë një muaj, dy muaj, por në këtë rast nuk kemi bërë shtyrje se jemi në të drejtën tonë. Dëshirojmë edhe të mos bëjmë kompromis sa i përket zbatimit të ligjit të drejtë, e vendimeve të mira qeveritare, por njëkohësisht edhe të mos e cenojmë paqen edhe sigurinë, dhe këtë e kemi bërë me vendimin që kemi marrë”, tha Kurti.
Ai theksoi se me ShBA janë vazhdimisht në kontakt, me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë por edhe drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit.
“Partnerët tanë në Uashington dhe Bruksel e dinë qëndrimin tonë”, tha Kurti. Ai shtoi se jo çdo herë ndodh të pajtohen për çdo gjë me aleatët ndërkombëtarë.
“Natyrisht nuk do të thotë që pajtohemi çdo herë, kudo, për secilën hollësi, se Qeveria është e një vendi sovran, e kështu na duan edhe Shba, por ne anën tjetër nuk mund të thuhet që ka pasur kurrfarë shpërfillje të Qeverisë sonë ndaj brengave evropiane”, u shpreh Kurti.
Sakaq ka shkaktuar përplasje të forta vendimi për pezullimin e drejtorit të Policisë së Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq. Një vendim që u mbështet nga ana e ministrit të Brendshëm, Xhelal Svelça, pasi zyrtari serb i policisë refuzoi të zbatonte vendimin për targat për qortimin e atyre shtetasve që refuzojnë t’i konvertojnë ato në “RKS”.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, ka thënë se në një takim emergjent me të gjithë përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës do të propozojë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës në veri, duke përfshirë edhe vetë atë si ministër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




