Kosova

Kurti sot në Sarajevë, Dodik: Vizita e tij do komplikojë marrëdhëniet. Shkëndijë për probleme

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të udhëtojë më 5 dhjetor në Sarajevë, ku një ditë më vonë do të marrë pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.

Por ky lajm nuk është pritur mirë nga presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik.

“Vizita e Kurtit në Sarajevë do të komplikojë ndjeshëm marrëdhëniet në Bosnje dhe Hercegovinë”, deklaroi ai.

“BeH nuk e ka njohur Kosovën. Ne nuk do të lejojmë që shqiptarëve nga ai rajon t’u lejohet hyrja me letërnjoftim, sepse kjo do të nënkuptonte njëfarë njohjeje të të ashtuquajturës Kosovë. Në këtë drejtim, kemi lajmin se Kurti po vjen në Sarajevë. Dhe kur ndërhymë dhe thamë se kjo do të ishte një shkëndijë për probleme serioze mes nesh në Bosnjë dhe Hercegovinë, ata menduan që ta ftonte ndonjë organizatë joqeveritare në ndonjë sesion”, tha Dodik.

Në tetor, Kurti kishte deklaruar gjatë një samiti të Procesit të Berlinit se Kosova do të lejojë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të hyjnë në Kosovë me letërnjoftim, duke nisur nga 1 janari i vitit 2025.

Marrëveshja për heqjen e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, që do të mundësojë që qytetarët e këtyre dy vendeve të udhëtojnë pa viza, ende nuk është ratifikuar në Parlamentin e Bosnjës.

Ajo po bllokohet nga përfaqësuesit e entitetit të Republikës Sërpska, të udhëhequr nga Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur e Millorad Dodikut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë