Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i LVV-së, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe tha se kjo është fitorja “më e madhe në historinë e vendit”.
“Më 9 shkurt fitoi LVV-ja me partnerët, më 28 dhjetor fitoi populli i Kosovës dhe Republika”, tha Kurti.
Kurti tha se partia e tij është në rrugë që të tejkalojë rezultatin e 14 shkurtit 2021, kur kishte fituar 50.2 për qind.
Sipas tij, rezultati zgjedhor i së dielës kërkon që duhet të ecet përpara pa vonesa.
“Sa më parë që certifikohen rezultatet, aq më shpejt na duhet të krijojmë institucionet dhe të vazhdojmë me punën e mirë”, tha Kurti.
Legjislaturën e re, Kurti tha se e pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore, që në total tha se arrijnë vlerën e mbi 1 miliard eurove.
“Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare” dhe për projektligje të tjera”, tha ai.
Kurti u pyet edhe për çështjen e presidentit.
Ai tha se është herët të flitet për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, duke theksuar se “sonte do të festojmë”, por shtoi se me opozitën duhet të trajtohet kjo çështje, por edhe me presidenten aktuale, Vjosa Osmani, të cilës i skadon mandati në mars.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




