Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, në lidhje me tarifat e reja për energjinë elektrike në Kosovë. Ai tha se nuk është e mundur që të mos ketë as subvencione, as shtrenjtim dhe as ndërprerje të energjisë.
Sot përfundon afati për të dhënë komente për raportin konsultativ që paraqet qëndrimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ristrukturimin e tarifave të nevojshme për të përmbushur kostot e blerjes së energjisë elektrike dhe për të rivendosur furnizimin për konsumatorë.
Megjithëse, parashikohej që ky afat të përfundonte në fund të javës së kaluar, ZRRE-ja kishte vendosur ta shtynte duke marrë parasysh interesimin e palëve të interesit për të ofruar komente.
Deri më tani sipas ZRRE-së janë pranuar komente nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Operatorët e rregulluar KOSTT, KEDS dhe KESCO si dhe ka pranuar komente nga konsumatorët e energjisë elektrike, ku pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.
“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm komente te Zyra e Rregullatorit të Energjisë në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme. Nuk është e mundur që të mos kemi as subvencion as shtrenjtim e as shkyçje. E ritheksoj se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose leje nuk është final e as fatal, ai pret komentet që do të dorëzohen sot e më pas presim vendim meritor”, tha ai.
Kurti ka premtuar se Qeveria e Kosovës do të dërgojë komentet e saj, por nuk është bërë e ditur nëse i kanë dërguar apo do t’i dërgojnë gjatë ditës para përfundimit të afatit.
Ndërkaq, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani, që të dalë me një deklaratë për çmimin rrymës.
“Presidente, vepro e pavarur nga Kryeministri Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje: Dil dhe mbroje interesin e qytetarëve të Kosovës. Presidente, dil dhe kundërshtoje shtrenjtimin e energjisë elektrike. Presidente, mos rri në rrugën e kryeministrit Kurti. Paralajmërimi i tij se nuk ka zgjidhje tjetër përveç shtrenjtim të energjisë elektrike, nuk duhet të vlejë si parashkrim i qëndrimit tënd”, ka thënë Deliu.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar raportin konsultativ për shtrenjtimin e energjisë elektrike, e cila është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend, por jo edhe nga ata të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Propozimi i ZRRE-së është që çmimi i rrymës të rritet për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600kWh në muaj, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh ose më shumë, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë prej 75 milionë eurosh. ZRRE-ja propozon që tarifa për konsumatorët me 800kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, ndërsa ata që shpenzojnë 1.000kwh do të përballen me rritje prej 24.62 euro.
Nëse Qeveria nuk i ndan subvencionet, ZRRE-ja e konsideron të nevojshëm rritjen e çmimit të rrymës edhe për kategoritë tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




