Kosova

Kurti: Serbia s’mund ta destabilizojë Kosovën nga brenda. Perëndimi të detyrojë Vuçiçin të dorëzojë Radoiçiçin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaron se është optimist se Serbia do të dorëzojë kryeterroristin Milan Radoiçiç në rast se Perëndimi e sanksionon destruktivitetin e Serbisë.

Sipas tij, kjo është mënyra për të vepruar me Beogradin, porse thekson se Kosova nuk ka levë për ta përdorur kundër Serbisë.

Në një intervistë për KosovaPress, Kurti tha se inteligjenca e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë janë vigjilente karshi Serbisë për shkak të synimeve të saj destabilizuese dhe u shpreh i bindur se “ato sulme nuk mund të planifikohen më në Kosovë, nuk mund të iniciohen përbrenda Kosovës.”

Kurti theksoi se në anën tjetër kjo e bën më të vështirë gjurmimin e tyre.

“Jemi shumë vigjilentë në këto ditë, për shkak se nuk ka muaj që nuk po ka ndonjë përpjekje. Përpjekjen e fundit e kishin me 29 nëntor kur e dëmtuan rëndë por jo pakthyeshëm kanalin Ibër-Lepenc dhe tani organet tona të sigurisë, inteligjenca jonë përcjell me shumë vëmendje çfarëdo informacioni i cili mund të na tregojë çkadoqoftë lidhur me sulmet e tyre të radhës, por unë e di një gjë që ato sulme nuk mund të planifikohen më në Kosovë, nuk mund të iniciohen përbrenda Kosovës.

Ato janë sulme të cilat vijnë gjithmonë nga Serbia dhe organizohen atje. Në njërën anë kjo tregon që ne kemi qenë të suksesshëm, por në anën tjetër e bën më të vështirë gjurmimin e tyre sepse ne nuk mund të interceptojmë informacione ne Serbi sikurse që mund ta bëjmë në Kosovë… Janë institucionet përkatëse të sigurisë që e bëjnë vlerësimin e duhur por ne kurrsesi nuk mund të jemi të relaksuar përderisa krimineli Raidoçiç dhe paramilitarët e tjerë të grupit të tij terrorist ndodhen në liri në Serbi”, vijon Kurti.

Për dezinformatat serbo-ruse që vijnë në drejtim të vendit dhe të Qeverisë së Kosovës, Kurti thotë se janë shpifje në përputhje me fantazinë e tyre.

“Ata vazhdimisht shpifin në përputhje me fantazinë e tyre, ata do dëshironin që të kishte një sulm ndaj serbëve civilë në mënyrë që këtë ta përdorin për pretekst, për agresionin e ushtrisë së tyre, mirëpo pikërisht për shkak se nuk ekziston një gjë e tillë, atëherë edhe më shumë bëjnë propagandë. Shpeshtimi dhe sforcimi i propagandës së tyre është dëshmi që e njëjta nuk po ka sukses, prandaj edhe po rritet intensiteti”, thotë Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë