Kosova

Kurti: Serbia si Rusia, me akte terroriste. Pasojat e sulmit të rënda, nëse ia arrinin qëllimit

Gazeta Si - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar detaje të reja nga sulmi mbi ujësjellësin në Zubin Potok.

Sipas Kurtit, ky sulm terrorist është i ngjashëm me skenarin që përdori Rusia në fillim të agresionit mbi Ukrainë.

“Serbia po kopjon metodat ruse për të kërcënuar rajonin tonë, por edhe kjo do të dështojë pasi jemi mbështetur në vlerat demokratike perëndimore”, tha Kurti.

Edhe gjetja e simboleve të ushtrisë ruse e forcon idenë, sipas Kurtit, se Serbia po i kopjon metodat ruse për ta dëmtuar Kosovën. Nëse akti do të ishte realizuar plotësisht dëmi do të ishte shumë i madh për ekonominë dhe energjetikën, shtoi ai.

“Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të ishte marramendëse. Ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pariparueshme në infrastrukturën e Kosovës. Ky do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali Kosova B. Më tej, do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujit, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë”, u shpreh Kurti. 

Në një konferencë për mediat në Prishtinë, ai ka thënë se sulme të tilla në veri të vendit, vijnë pasi serbët që po kryejnë këto akte, e kanë humbur betejën me Kosovës. Sipas tij, ata nuk posedojnë më veriun, e nga nervozizmi veprojnë me akte kriminale.

“Këto sulme u ndodhin edhe vendeve të zhvilluara demokratike perëndimore, madje do thosha edhe më shumë se ne, por imagjinata terroriste, kriminale, e sponsorizuar nga një shtet që është më i madh se i yni, e me traditë të gjatë e të gjerë të këtyre sulmeve, e që e ka për aleat të ngushtë superfuqinë më problematike botërore sot, Federatën Ruse, kanë shkaktuar gjendjen të cilën ne ndodhemi. Pikërisht për shkak se e kanë humbur kontrollin me struktura paralele, me grupe kriminale, tash nga nervozizmi, kanë rritur aksionet të tilla terroriste”, u shpreh Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë