“Serbia po kërcënon me luftë”, kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Kurti theksoi se në mbledhje është rënë dakord që të rritet gatishmëria.
“Ajo që ne e dinim prej kohësh u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshme. Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të tyre ushtarake të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë”, ka thënë Kurti, duke shtuar se nuk “jemi kundër askujt sa i përket përkatësisë etnike”.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në Kosovë që të distancohen nga regjimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili sipas tyre po i financon dhe po kërkon luftë.
“Ftoj të gjithë serbët në Kosovë të punojnë, jetojnë e qeverisin bashkë me ne. Serbia dëshiron kthim në kohe lufte, ne dëshirojmë të ardhme demokratike prosperuese e europiane. Qytetarët serbë në Kosovë, nuk duhet të pranojnë të kthehen në kohë të shkuara. Kohërat e shkuara të ngelen në të kaluarën. Serbët e Kosovës duhet të distancohen nga grupet kriminale dhe regjimi i Vuçiçit që po i financon dhe i drejton dhe po kërkon luftë në luftë. Ne jemi qeveria e paqes që dëshiron ta ruajë sigurinë pa dallim feje e etnie moshe e gjinie”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës shtoi se institucionet e Kosovës janë në gatishmëri të plotë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




