Kosova

Kurti: Serbia është agresive dhe nevrike, rrezikon paqen dhe sigurinë në rajon

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka quajtur agresive dhe nevrike Serbinë porse ka shtuar se kjo e bën Kosovën më të kujdesshme por jo të frikësuar.

Gjatë një inaugurimi për Qendrën Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, Kurti është shprehur se është i vetëdijshëm për rrezikun e sigurisë në Ballkan dhe Europë.

Sipas tij, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotizmin në Moskë.

“Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jodemokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm në lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikurse SHBA-ja nuk mund ta dijë askush.

Ajo çfarë bëjmë ne është që ne përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, deklaroi ai.

Ai shtoi se Kosova ka shtuar investimet në Forcën e Sigurisë në mënyrë që siguria e qytetarëve të jetë e pacënueshme.

“Pata nderin bashkë me komandantin e Sigurisë së Kosovës të shoh edhe këta 15 kamionë multifunskionalë të firmës gjermane që i kemi përfshirë tashmë në Forcën e Sigurisë së Kosovës. 10 prej tyre i kemi blerë me buxhetin e shtetit, 5 janë donacion. Pra ky është partneritet që po bëjmë. Edhe marrim donacion edhe blejmë në mënyrë që integriteti territorial, sovraniteti e siguria e qytetarëve të jetë e pacenueshme. Ne e kemi pas të qartë që fqinj jonë verior është agresiv, është nevrik, mirëpo kjo na bënë të kujdesshëm, assesi të frikësuar”, deklaroi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë