Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është refuzuar nga një pjesë e opozitës, krerët e së cilës i ka ftuar në një darkë pune sot(13 maj) për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror. Në takim Kurtit do t’i shkojë vetëm kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
Teksa nga LDK dhe AAK kanë thënë se temat e diskutimit bien mbi përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare, nga PDK i kanë “ndërruar” Kurtit temën e diskutimit, duke thënë se do të shkojnë për të diskutuar për zgjedhjet e reja parlamentare.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, bëri të ditur se në këtë takim pjesëmarrja e Krasniqit do të jetë në funksion të diskutimit për zgjedhje të reja parlamentare.
Ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i është përgjigjur negativisht ftesës së kryeministrit Kurti për darkë pune. Në përgjigjen që ai i ka kthyer kryeministrit Kurtit, thuhet se e konsideron të vonuar këtë ftesë për takim, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet.
Abdixhiku thekson se Kurti për këto tri vite e gjysmë ka mbjellë një polarizim të skajshëm të partive politike në Kosovë. Por, LDK megjithatë thotë se do të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës së Kosovës.
“Në përgjigje të letrës tuaj, e konsideroj të vonuar tani që, pas tre vitesh e gjysmë në pushtet, të tentoni të gjeni një klimë bashkëpunimi kur keni shuar rrënjësisht frymën e bashkëpunimit e kur keni mbjellë polarizim ofendues të skajshëm ndaj të gjitha partive politike tjera në Kosovë dhe përfaqësuesve të tyre.
Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon përherë të jetë mbështetëse për interesat madhore të Republikës, ndonëse nuk i jeni përgjigjur asnjëherë kësaj gatishmërie me bashkëpunim reciprok”, thuhet në përgjigjen e Abdixhikut.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i është përgjigjur po negativisht ftesës së kryeministrit Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




