Kosova

Kurti: Radoiçiç dha urdhrin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit. U financua nga Serbia

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Millan Radoiçiç ka dhënë urdhrin për kryerje të sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor, ndërsa shteti i Serbisë ka përgjegjësi për financim, planifikim dhe logjistikën e sulmit, që ka pasur synim rrezikimin e sigurisë kombëtare.

Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se këto deklarata i bazon në të dhënat e inteligjencës dhe autoriteteve të sigurisë.

Sipas tij, përkrahja që i ofron Beogradi zyrtar, atij që e ka quajtur grup terrorist të Millan Radoiçiqit, nuk mund të quhet ndryshe, pos koordinim i shtetit serb me këtë grup, për të intensifikuar luftën hibride kundër Kosovës.

“Sulmi i 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc është vazhdimësi e akteve dhe sulmeve terroriste, dhe aktiviteteve tjera destabilizuese të kryera nga mekanizmat e ndikimit të Serbisë në Kosovë, përfshirë organizatat terroriste serbe. Duke marrë parasysh se akte të tilla terroriste kërkojnë përgatitje profesionale në diversion, dhe faktin se Millan Radoiçiç përkrahet edhe nga strukturat shtetërore të Serbisë, vlerësohet se edhe shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit është përkrahur me planifikim dhe logjistikë nga shteti i Serbisë”.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, ka thënë se akuzat e kryeministrit Kurti janë “një përpjekje tjetër për të larguar vëmendjen nga veprimet jodemokratike të Qeverisë së tij, duke përfshirë përjashtimin e Listës Serbe nga zgjedhjet e ardhshme”.

Përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter – Gjuriç ka thënë se lëvizje të tilla “janë fyerje për demokracinë dhe kërcënim i qartë për stabilitetin rajonal”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë