Kosova

Kurti propozon tetë hapa për zgjidhjen e situatës në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë publike tetë pika për të cilat siç thotë ai çojnë në de-eskalim të situatës në katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.

Kurti tha se këto pika ia ka propozuar kryediplomatit të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, javën e kaluar kur ky i fundit sipas tij propozonte një ‘tryezë për përshkallëzim’ të situatës në pjesën veriore të Kosovës.

Çfarë përmbajnë pikat?

1) Reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës;

2) Qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës, dhe monitorimi i proceseve, nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut;

3) Zgjedhje të parakohshme aktivizohen në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 përqind të elektoratit, siç parashikohet në legjislacionin e Kosovës. Pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje, data e zgjedhjeve shpallet nga Presidentja;

4) Katër kryetarët e komunave në fjalë do të udhëzohen që t’ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj të komunave pas certifikimit nga KQZ-ja në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

Kurti ka parashtruar gjithashtu edhe katër pika të tjera lidhur me atë që presin nga Serbia.

Çfarë presin nga Serbia?

1) Tërheqja e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre;

2) Zotimi për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve nga ana e Kosovës, me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë;

3) Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re e trupave, heqja e 48 Bazave të Përparme Operative që ndodhen përgjatë kufirit.

4) Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë