Gazeta Si – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti vendimin e NATO-s për të rritur numrin e trupave të saj në Kosovë. Duke folur për ‘Associated Press’, Kurti tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator ilustron përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar Kosovën, me ndihmën e aleates së saj, Rusisë.
Këta persona duan ta kthejnë kohën pas, – tha Kurti për ‘Associated Press’. – Ata janë në kërkim të një makine për kthimin e kohës. Ata duan ta kthejnë kohën për 30 vjet pas. Por, kjo nuk do të ndodhë”. Të premten NATO, që ka misionin e saj paqeruajtës në Kosovë, tha se KFOR-i do të shtojë forcat e saj në Kosovë.
“Ne na duhet NATO-ja, sepse kufiri me Serbinë është shumë i gjatë dhe ushtria serbe së fundi po forcon kapacitetet e saj dhe ata kanë shumë pajisje ushtarake, si nga Federata Ruse, ashtu edhe nga Kina”, – tha Kurti.
Ky qëndrim i Kurtit duket se shkon në një linjë me thirrjen e lëshuar së fundmi ka kryeministri Edi Rama. Por nuk është e këtij mendimi presidentja Vjosa Osmani, e cila ka reaguar ndaj deklaratës së Ramës se edhe vetë ajo është pro trupave të KFOR-it.
Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, ka thënë për Telegrafin se “Presidentja Osmani në çdo bisedë dhe takim me partnerët dhe aleatët e ka sqaruar se mandati i KFOR-it është vetëm si reagues i tretë dhe në mbështetje të Policisë së Kosovës si reagues i parë dhe institucioni kyç për sundimin e ligjit dhe sigurinë në secilën pjesë të territorit të saj”.
“Institucionet e Kosovës kanë kërkuar mbështetje nga NATO-ja, që patrullimet në zonën kufitare t’i përfshijnë edhe ushtarët e NATO-s, përkrah policëve të Kosovës në mënyrë që të parandalohet hyrja e grupeve terroriste dhe sulmet nga Serbia.
Policia e Kosovës ka mandat të plotë në të gjithë territorin e Kosovës, ndërsa me NATO-n ka bashkëveprim dhe koordinim të ngushtë, siç e dëshmon edhe reagimi e operacioni policor gjatë sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023”, – ka deklaruar Kupina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.