Kosova

Kurti prezanton vizionin e tij për Asociacionin, çfarë përmbajnë 10 pikat e dokumentit

Pas takimit të Brukselit ku refuzoi të pranonte draft-statutin e paraqitur nga ekipi menaxhues, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka prezantuar vizionin e tij për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Në propozimin që titullohet “Vizioni i Kryeministrit, z. Albin Kurti, për zbatimin e Nenit 7 të Marrëveshjes Themelore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” sqarohen 10 pikat e tij.

Para se të specifikohen pikat e dokumentit, tregohet se statuti duhet të jetë në përputhje me disa dokumente të rëndësishme.

Zbatimi i nenit 7 të Marrëveshjes Bazë, bashkë me nenin 10, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës(me vendimin shoqërues të Gjykatës Kushtetuese të datës 23 dhjetor 2015) me letrën Garantuese të ish-përfaqësueses së lartë Mogreni drejtuar kryeministrit të Kosovës(data 24 gusht 2015) dhe me qëndrimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (deklaratën e Cholet dhe Escobar-it, të datës 30 janar 2023)”, është thënë në propozimin e kryeministrit.

Në tri pikat e para propozimi tregon për të drejtat që duhet t`i gëzojë komuniteti serb.

Kurse, në pikën 5 dhe 6 flitet për komunikimin e Asociacionit me Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë.

“Do të parashikojë një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Republikës së Kosovës, mes të tjerash, përmes pjesëmarrjes në Këshillin Konsultativ për Komunitete”, thuhet në pikën 4 të propozimit.

Në pikën vijuese tregohet se ky mekanizëm mund të financohet edhe nga Serbia, duke i respektuar disa procedura.

“Do të ofrojë mundësi për t’u financuar nga buxheti i Kosovës, organizatave ndërkombëtare, institucione dhe donacione të vendeve të treta, duke përfshirë nga Serbia, të cilat duhet të dërgohen të gjitha përmes procedurave dhe rregullave të Ministrisë së Financave të Kosovës”, thuhet në pikën 5 të propozimit.

Në pikën 6 thuhet se Asociacioni do të parashikojë mundësinë e bashkëpunimit me të gjitha institucionet, përfshirë komunat, për qëllime të mbështetjes së punës dhe misionit të tyre për anëtarët e saj.

“Do të njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës siç janë respektimi i pavarësisë, uniteti i sistemit institucional, integriteti territorial i Republikës dhe do të kontribuojë në realizimin e plotë të saj në praktikë. Do të përdorë ligjet aktuale për të ofruar mundësinë e ushtrimit të disa shërbimeve jofitimprurëse përmes krijimit të shoqatave në fushën e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit, si dhe shoqata të studiuesve dhe të tjera për shprehjen, nxitjen dhe zhvillimin e identiteti serb”, thuhet në pikën 7 dhe 8 të propozimit.

Në pikën e parafundit thuhet se ai do të parashikojë procedurën e regjistrimit në organin qeveritar të Kosovës përgjegjës për administratën e përgjithshme dhe procedurat për pajtueshmëri me ligjin e Kosovës në fuqi.

“Do të sigurojë dhe promovojë respektimin e pluralizmit politik, lirinë e fjalës, lirinë e asociimit dhe të drejtën për të mbrojtur lirisht identitetin politik dhe fetar të serbëve në Kosovë”, thuhet në pikën e fundit të propozimit.

Në fund të tekstit, kërkohet vullneti i të dy vendeve për të treguan përkushtimin e tyre për respektimin e të drejtave të komuniteteve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë