Kosova

Kurti prezanton pikat e rezolutës kundër referendumit serb: Kosova është shtet i pavarur dhe sovran

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e mbajtjes së  referendumit të Serbisë në Kosovë tha se votimi mund të bëhet vetëm me postë apo në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe në asnjë formë tjetër.

Kreu i ekzekutivit thotë se Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe nuk i mohon askujt të drejtën e votës.

“Po e filloj këtë fjalë duke përmendur disa nocione që të gjithë këtu i dimë, dhe për të cilat edhe krenohemi shpesh: sovraniteti, barazia, demokracia, pavarësia. Të gjitha këto nocione të integruara në Kushtetutë marrin kuptim të plotë dhe kanë vlerë. Kushtetuta jonë shprehimisht përcakton që qytetarët janë të barabartë para ligjit. Përcaktohet saktë edhe përkufizimi i shtetit tonë si i pavarur, sovran dhe demokratik. Shtet që është multietnik dhe që qeveriset në mënyrë demokratike. Shtet që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut. Liritë dhe të drejtat themelore vlejnë për të gjithë qytetarët, vlejnë edhe për votimin”, tha ai.

“Ushtrimi i kësaj të drejte të votimit duhet të bëhet nën ombrellën e normave juridike tona. Duke respektuar normat për votimin jashtë vendit dhe ligjin zgjedhor. Askush askujt s’po i cenon të drejtën e votës. Votimi për referendum mund të bëhet në zyrën ndërlidhëse në pajtim me ligjin dhe kushtetutën tonë. Serbët e Kosovës në këto vite nuk kanë votuar si votues jashtë vendit, por si votues brenda vendit. Problemi nis te kushtetuta e Serbisë që e konsideron Kosovën brenda vendit”, shtoi më tej Kurti teksa tha se një gabim i tillë, nuk e arsyeton vazhdimin e tij.

“Kosova është shtet sovran. Organizimi i votimit jashtë zyrës ndërlidhëse është jashtë ligjeve. Votimi në këtë referendum mund të bëhet në këtë zyrë apo përmes postës”, tha Kurti.

Më tej Kurti prezantoi tetë pikat e Rezolutës.

-Kuvendi i Republikës së Kosovës si përfaqësues i qytetarëve të Kosovës shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Kosovë, cenon rendin Kushtetutës dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, si dhe është në kundërshtimin me Kushtetutën, Ligjet e Kosovës dhe normat dhe praktika ndërkombëtare.

-Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cedimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nga mbajtja e referendumit të një shtetit të huaj në territorin e Republikës së Kosovës.

-Kuvendi thekson përkushtimin e Republikës ë Kosovës për garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

-Në këtë frymë Kuvendi i Republikës së Kosovës afirmonte drejtën e qytetarëve me dy shtetësi që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Na rastin konkret të gjithë qytetarët Republikës së Kosovës e Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë, u garantohet e drejta që të votojnë përmes postës ose Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

-Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës sikundër edhe përfshirja e grupacioneve dhe strukturave ilegale në një organizim të tillë për bën sjellje të qartë të Kushtetutës dhe të ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe praktikave ndërkombëtare

-Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrurmenatlizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës.

-Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetje për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Republikës së Kosovës  meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund të garantohet stabiliteti demokracia dhe fryma euro-atlantike e rajonit tonë.

-Kuvendi i Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për të mbrojtur e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtave kushtetuese të gjithë qytetarëve të saj si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës euro-atlantike në rajonin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë