Kosova

Kurti përkujton masakrën në Qyshk: Krimet e Serbisë as nuk falen e as nuk harrohen

Kryeministri i Kosovës ka përkujtuar civilët e vrarë në masakrën e Qyshkut, 24 vjet më parë. Ai ka thënë se krimet e kryera nga Serbia nuk falen e s’harrohen asnjëherë, teksa ka bërë thirrje që drejtësia të vihet në vend.

“Sistemi ynë i drejtësisë duhet të angazhohet për drejtësi për viktimat dhe gjykim e dënim të kriminelëve të luftës dhe urdhërdhënësve të tyre. Krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të falen e as harrohen. Proceset e rralla e të pakta gjyqësore në Serbi ishin tallje me viktimat dhe shpërlarje kriminelësh”, u shpreh Kurti.

Ai ndër tjera ka treguar se për disa prej këtyre vrasjeve u iniciua gjykimi në Beograd.

“Në vitin 2010 ishte ngritur aktakuzë për 11 persona. Pasi u dëgjuan 116 dëshmitarë, në shkurt të vitit 2014 me aktgjykim të shkallës së parë, 9 persona u dënuan. Në shkurt të vitit 2015, Gjykata e Apelit në Beograd anuloi aktgjykimin dhe ktheu lëndën në rigjykim. Në tetor të 2022 dështoi vazhdimi i rigjykimit ndaj njësisë paraushtarake serbe ‘Çakallët’ në Beograd. Nuk ka asnjë të dënuar me aktgjykim përfundimtar”, shkroi ai në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë