Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 22 mars, se për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Quintit në Kosovë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën, në një aktivitet parazgjedhor, se “Qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill.
“Do të merrni nesër (të martën) përgjigjen”, ka thënë Vuçiq më 21 mars.
Autoritetet serbe kanë paralajmëruar që të martën, në ora 12:00 do të mbahet një takim i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”.
Udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë të hënën se autoritetet e Kosovës duan t’i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë më 3 prill.
Pjesëtarët e opozitës në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ketë kujdes në ruajtjen e sovranitetit të vendit në çfarëdo vendimi që mund të marrë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




