Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka hapur mbledhjen e Qeverisë duke folur për vizitën e së martës në veri të vendit, bashkë me ministrat Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi. Ai u shpreh se këto vizita nuk janë kundër askujt, ndërsa foli edhe për vendimin e mbylljes së komunave paralele, që u kritikua shumë nga ndërkombëtarët.
Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë, tha se vizitat e tilla janë të domosdoshme për t’i kuptuar nevojat e këtyre komunave, “pasi të lihet anash çfarëdo paragjykimi”.
“Dje bashkë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi ishim në vizitë fillimisht në komunën e Leposaviqit, e më pas edhe në Mitrovicën e Veriut. Vizitat tona nuk janë kundër askujt. Ato në fakt janë të domosdoshme për të kuptuar nevojat që këto komuna i kanë, pasi ta kemi lënë anash çfarëdo paragjykimi për të cilin qeveria jonë angazhohet që nga dita e parë. Pikërisht për t’i flakur paragjykimet e ndërsjellta dhe për të kuptuar se sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po i bëjmë këto vizita, të cilat janë vizita pune. Po bëhen investime që nuk janë bërë në dy dekada, po shtohen shërbime që u kanë munguar qytetarëve.” – tha ai.
Ndonëse s’i përmendi kritikat e ndërkombëtarëve, Kurti për mbylljen e komunave paralele u shpreh:
“Në fund të muajit të kaluar, pas raportimeve dhe dëshmive të konfirmuara që po funksionojnë komuna paralele në hapësira të uzurpuara dhe po zhvillojnë veprimtari ilegale, institucionet tona morën veprime për mbylljen e tyre. Kjo na ka mundësuar që pastaj të ofrojmë shërbime të ligjshme. Aty do të funksionalizohen njësia e partner shoferëve, qendra për punë sociale dhe shërbime të mirëqënies sociale, pastaj shërbimi për regjistrimin e automjeteve në kuadër të MPB-së e shërbime të tjera të ministrisë së Ekonomisë, etj”.
Kurti më pas foli edhe për tentimin e mbylljes së kufijve nga grupe serbe gjatë javës së kaluar.
“Pra Qeveria nuk po mbyll zyra, përkundër, po hap zyra, nuk po zvogëlon shërbime, po i shton ato. Nuk po i largon shërbimet publike, po i afron te ata. Kështu duhet të shihen veprimet. Se kush është për mbyllje dhe kufizim, e pamë edhe një herë në fund të javës së shkuar. Grupe personash të maskuar në prani të policisë serbe në kufi me Kosovën, në territorin e Serbisë, bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar vetura për të kuptuar përkatësinë etnike.” – tha ai.
Në fund, Kurti u shpreh se “po bëhen shumë punë për të cilat nuk dihet fort në publik, e nuk ka aq diskutime në publik”.
“Ka tepër shumë punë që bëhen për të cilat nuk dihet fort në publik, e nuk ka aq diskutime në publik. Me këtë rast, dua të shpreh një falenderim për të gjithë zyrtarët policorë dhe agjentët tanë që janë kujdesur e përkujdesur çdo herë për qytetarët dhe përjetojnë vetëm rezultate pozitive përkundër planeve të këqija që synohen por që nuk realizohen dhe s’merren vesh asnjëherë.” – tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.