Kosova

Kurti për urën mbi lumin Ibër: Do vazhdojmë konsultimet me partnerët. Hapja nuk është kundër askujt

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Qeveria e tij do t’i vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët e Kosovës në lidhje me rihapjen e urës mbi lumin Ibër në veri.

“Ne do t'i vazhdojmë konsultimet dhe koordinimet me partnerët tanë. Hapja e urës nuk është kundër askujt, veçmas kundër partnerëve ndërkombëtarë”, tha Kurti gjatë një mbledhjeje të Qeverisë së tij të mërkurën.

Rihapja e urës në Mitrovicë për qarkullim edhe të automjeteve, e cila ndan shqiptarë në jug dhe serbët në veri, është kundërshtuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga serbët lokalë.

Vendet e QUIN-it, SHBA, Britania, Franca, Gjermania dhe Italia, e kanë quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kurtit për rihapjen në këtë kohë. BE-ja ka bërë thirrje që çështja e urës të diskutohet në dialog me Serbinë.

“Me komandantin e KFOR-it biseduam për hapjen e urës kryesore mbi ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë”, tha Kurti, duke iu referuar takimit të djeshëm me Ozkan Ulutas.

Autoritetet kosovare kanë kryer testimin e urës dhe punime në urë kohëve të fundit.

Ministria e Infrastrukturës publikoi të martën më herët një raport fillestar për testimet e kryera në urë, duke thënë se është e “qëndrueshme dhe funksionale” dhe se ajo mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim ngarkese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë