Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se takimi mes kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk ishte një diplomaci fetare, “por një partneritet strategjik i regjimeve autoritare që vë rajonin në rrezik serioz”.
Kurti e cilësoi takimin e zhvilluar në Kremlin më 22 prill si “shqetësues” dhe tha se Kisha Ortodokse Serbe për një kohë të gjatë ka luajtur rol aktiv politik.
“Patriarku bëri thirrje për një rreshtim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke përsëritur se ‘varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse’. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj – Kosovës, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozita globale e Rusisë”, shkroi Kurti në X.
Kurti tha se deklarata e bërë nga Porfirije për rreshtimin gjeopolitik u bënë para se presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, të vizitojë Moskën.
Vuçiç ka konfirmuar se ai do të marrë pjesë në shënimin e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, vizitë që është kritikuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë takimit në Kremlin, Porfirije kishte cituar fjalët e patriarkut e mëhershëm serb, Irinej, i cili kishte thënë se “varka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse”.
“Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Sërpska [entitet në Bosnje e Hercegovinë] dhe Malin e Zi, e konsideroj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse ndodh një rigrupim i ri gjeopolitik, të jemi pranë atij rrethimi rus, në botën ruse”, deklaroi Porfirije.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.