Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se gjatë takimit Kosovë-Serbi në Bruksel, hodhi idenë e njohjes së të gjitha dokumenteve midis dy vendeve.
“Kemi hedhur dhe idenë që të njihen të gjitha dokumentet. Pse mos të njihen? Pozicioni ynë në këtë qëndrim është europian. Është pozicion që del nga principet europiane dhe që i shmang zgjidhjet ad-hoc. Fakti që ne kemi raport reciprok nuk do të thotë njohje e plotë. Sa për dijeni Greqia nuk e njeh Kosovën, por njeh dokumentet e Kosovës, njeh targat e Kosovës. Reciprociteti është fryma që mund të çojë në njohjen mes dy vendeve”, -tha kryeministri Kurti.
Kryeministri i Kosovës përmendi pesë pikat e tjera ku duhet të fokusoheshin marrëveshjet me Serbinë, si ajo përballjes me të kaluarën, dhuna seksuale, dëmet e luftës, kthimi i dokumentacioneve publike dhe artefakteve arkeologjike e etnologjike etj. Trajtimin e barabartë të pakicave në vendet respektive.
Pika e fundit, sipas Kurtit, ka të bëjë me vendosjen e mekanizmave për zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit
Duke treguar për herë të parë detaje nga takimi i 18 gushtit në Bruksel, Kurti tha se pala serbe nuk ishte e interesuar për marrëveshje, por vetëm për vendosje kushtesh dhe “ka dalë nga ndërtesa.”
“Kosova nuk mund të marrë vendime që vendosin në pikëpyetje pavarësinë e saj. Pavarësia e vendit nënkupton që nuk mund të promovojmë një rend juridik të ndryshëm në një pjesë të territorit. Që siç kërkon pala serbe të shtrijë kontrollin e Serbisë në Kosovë, apo që akomodojnë interesat e grupeve kriminale të cilat e dëmtojnë shtetin e Kosovës. Kjo nuk është e mundur! Në Bruksel nuk kemi parë propozime konkrete të palës serbe”, – u shpreh Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




