Kosova

Mitingjet e hapjes së fushatës në Kosovë/ Kurti: Për Serbinë kemi ushtrinë, policinë dhe dialogun

Nga Gazeta ‘Si’- Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ndryshe nga dy partitë opozitare, PDK e LDK që zgjodhën Prishtinën për tubimet hapëse, e ka çelur në Gjakovë fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti në fjalën e tij u ndal te raportet me Serbinë, duke u shprehur se për fqinjin verior qeveria e tij i ka tre alternativa.

“Për Serbinë e kemi edhe ushtrinë, edhe policinë, edhe dialogun”, tha Kurti duke dërguar një mesazh të qartë në Beograd.

“Koalicioni jonë i thotë atij (Presidentit të Serbisë) ashtu siç është ministër i Millosheviçit, aparati shtetëror i të cilit nuk do të ketë vend, sepse do ta ndjekim këmbë më këmbë e cep më cep në Republikën e pavarur e progresiste të Kosovës”, tha Kurti. 

Edhe opozita ka mbajtur tubimet hapëse të fushatës, duke nisur me Partinë Demokratike të Kosovës.

Nga salla “1 Tetori” në Prishtinë, kryetari Memli Krasniqi e hapi fushatën duke përshëndetur dy liderët e UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçin e Kadri Veselin, si dhe Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi dhe shokët e tyre që po zhvillojnë betejën e fundit në Hagë për drejtësinë e luftës çlirimtare.

“Sot qëndroj para jush për t’ju siguruar se ne ofrojmë një plan konkret, një program të detajuar dhe gjithëpërfshirës, realist dhe të realizueshëm, i cili do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve tanë. Për ta bërë Kosovën ma të fortë! Për ta bërë Kosovën ma të mirë! Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Bedri Hamzën që të na prijë në këto zgjedhje, sepse Kosovës i duhen aftësitë, përvoja dhe personaliteti i Bedriut për të materializuar planin tonë transformues”, theksoi Krasniqi.

Në vijim ai u kërkoi qytetarëve të Kosovës dhe diasporës së vendit votën për Bedri Hamzën kryeministrër.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza është zotuar për rritje të pagave dhe pensioneve, zhvillim ekonomik, siguri energjetike, sigurime shëndetësore, arsim cilësor, si dhe kultivimin e raporteve të mira me aleatëve.

Ndërkohë, pak pas PDK, LDK e çeli fushatën po në kryeqytet, me kryetarin dhe njëherësh kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhiku, që u ndal të kritikonte qeverinë e Albin Kurtit për “premtime përrallore”.

Abdixhiku bëri thirrje për “ngritje të shpresës” mes popullit dhe kërkoi nga qytetarët të jenë gati për t’i sjellë Kosovës, ndryshimin.

“Fitorja e madhe tashmë ka nisur! Prandaj, ju them të bëheni gati! Ngriteni zërin, të përvilni mangët, ngrini shpresën për të nesërmen dhe rrugën plot dritë përpara! Ju erdhët. Ju dëgjuat. Shpërndajeni tani këtë lajm në çdo anë të Kosovës. Në çdo rrugë e rrugicë, në çdo lagje në çdo shtëpi, në çdo anë të Republikës. Sot nuk jam këtu të jap zotime të mëdha që s’bëhen kurrë.

Në këtë projektim të së ardhmes dua të jem shumë i vërtetë me ju. Jo t’ju premtoj Bashkim Kombëtar e t’ju sjell autonomi. As të premtoj zhvillim përrallor e të përfundojë më një urë 2 metërshe. Jo të premtoj rend e drejtësi për të përfunduar në vjedhje e kapje”, tha kreu i LDK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë