Kosova

Kurti për REL: Nuk jam ftuar në takimin e ambasadës amerikane. Jemi paralajmëruar për zvogëlim të mbështetjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se nuk është ftuar në takimin që do të organizojë ambasada amerikane në Prishtinë me 31 Janar, ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Këtë deklaratë e bëri në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Kurti theksoi se ka pritur nga Escobar që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.Ai përsëriti se propozimi europian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.

Pjesë nga intervista:

Radio Evropa e Lirë: Më 31 janar Ambasada amerikane në Kosovë do të organizojë takim ku do të diskutohet për Asociacionin. A do të merrni pjesë në këtë takim?

Albin Kurti: Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Europian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.

Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni.

Radio Evropa e Lirë: A mund të flasim edhe për vërejtjet e tjera që po i përmendni? Ju po thoni se është një bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, por për cilat pika jeni skeptik?

Albin Kurti: Unë kam thënë në takime dhe gjithashtu i kam dhënë të shkruara komentet e mia, andaj nuk është e përshtatshme që konfidencialitetin e bisedimeve ta lëndojmë. Por, e di që nuk është e vërtetë që pala tjetër e ka pranuar këtë propozim. Edhe ajo i ka dhënë vërejtjet e veta.

Përshtypja ime është se trumbetimi se Beogradi na e paska pranuar propozimin evropian, është më shumë në funksion të trysnisë mbi Kosovën, sesa që paraqet të vërtetën e saktë, për shkak se ata i kanë bërë kërkesat që na largojnë nga normalizimi. Pra, kanë bërë vërejtje që na largojnë nga normalizimi.

Ndërkaq, vërejtjet që i kam bërë unë, janë vërejtje që pikërisht na e afrojnë edhe më shumë marrëveshjen drejt normalizimit. Ju e dini që presidenti [amerikan, Joe] Biden, kancelari [gjerman, Olaf] Scholz e thonë se kemi nevojë për marrëveshje ligjërisht, ndërkombëtarisht të obligueshme, e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë