Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për gazetën britanike “The Telegraph” se qeveria e Serbisë po kërcënon të nisë një luftë të re ballkanike në përpjekje për të nxjerrë koncesione nga Perëndimi.
Sipas medias britanike, Kurti akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se po vepron si “Gjermania mes Luftërave Botërore” dhe paralajmëroi se krizat e fundit në Kosovë dhe Bosnjë mund të përshkallëzohen nëse qeveritë perëndimore nuk e marrin seriozisht.
Ai përmendi edhe situatën përshkallëzuese që ndodhi në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe gjithashtu edhe deklaratën e përfaqësuesit të lartë të OKB-së në Bosnjë, Christian Schmidt, i cili tha në fillim të kësaj jave se marrëveshja e paqes së Dejtonit e vitit 1995, ishte afër shpërbërjes.
“Unë mendoj se padyshim situata është më e rrezikshme se më parë”, ka thënë Kurti për “The Telegraph” sipas “Telegrafit”.
“Ata duan të sillen sikur janë Gjermania mes dy luftërave botërore: ‘nëse nuk do të na kënaqni, ne do të nisim një tjetër konflikt’, sepse ata e kanë bërë një gjë të tillë në vitet ‘90”.
Kurti ndaloi edhe tek shpenzimet e fundit ushtarake nga ana e Beogradit: “Nëse i kontrolloni, verifikoni shifrat për shpenzimet ushtarake të shpenzuara në Serbi, të cilat vitet e fundit janë rritur në qiell. Për kë po i blejnë të gjitha këto?” shtoi ai.
“Fakti që po e them këtë me shumë qetësi, është sepse e kam parë që muaj dhe vite më parë”, – u shpreh kryeministri i Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.