Kosova

Kurti për Marrëveshjen e Uashingtonit: Së pari, ajo e Brukselit. Jam përgjegjës për marrëveshjet që kam pranuar

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dëshiron që Marrëveshja e Brukselit e arritur vitin e kaluar me Serbinë, të zbatohet fillimisht, e më pas të trajtohet ajo e Uashingtonit.

I pyetur nëse është e pranueshme për të tani Marrëveshja e Uashingtonit – e arritur më 2020 në Shtëpinë e Bardhë –nëse administrata e re amerikane e Donald Trumpit, insiston në zbatimin e saj, Kurti tha se pret që marrëveshja tjetër, ajo e Brukselit, të nënshkruhet.

“Unë mund të jem përgjegjës për marrëveshjet në të cilat kam marrë pjesë dhe kam pranuar dhe pres të njëjtën gjë edhe nga Beogradi, edhe pse ata e shtypin dhe nuk e respektojnë këtë marrëveshje. Le të fillojmë me marrëveshjen e fundit, e cila është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, sepse ajo normalizon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes de facto të njëra-tjetrës”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një ngjarje në Prishtinë.

Ai deklaroi se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë edhe me presidentin e zgjedhur, Donald Trump.

Para mediave, ai shtoi se Kosova bashkëpunon me SHBA-të në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me përkushtim e seriozitet.

"Ne bashkëpunojmë me SHBA në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin tonë. Presidenti i ardhshëm në një letër urimi që i pati dërguar një pararendësi, para nesh, pati vendosur në thelb njohje reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë dhe Serbi, dhe jemi më të interesuar që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë”, tha Kurti.

Po ashtu, ai u shpreh se Kosova do të bashkëpunojë me çdo administratë amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë