Kosova

Kurti pas takimit me Lajçak e Escobar: Serbia mund të heqë dorë nga dokumentet e përkohshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së mërkurës me të dërguarin e Bashkimit Europian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti i ka quajtur këto takime si përgatitore para takimit të 18 gushtit mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja.

Serbët e Kosovës kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar dy vendime për targat e makinave dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasi Qeveria ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator.

Kurti tha para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, deklaroi Kurti, duke këmbëngulur te ideja e reciprocitetit me Serbinë,

I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, u shpreh Kurti.

Përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak deklaroi se dialogu është e vetmja rruga për të zbutur tensionet dhe zgjidhur mosmarrëveshjet mes dy vendeve.

Escobar, ndërkaq, ka thënë se SHBA mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. “Jemi në kërkim të zgjidhjeve që mundësojnë stabilitet rajonal”, ka thënë ai.

Escobar ka thënë se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe kushtetutën e Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë