Kosova

Kurti pas takimit me Escobar dhe Lajçak: Të ndalen menjëherë sulmet e grupeve kriminale në veri

Pas takimit të mbrëmshëm (5 qershor) me të dërguarit evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare, si dhe ndaj gazetarëve.

Në komunikatën e Zyrës së kryeministrit, bëhet e ditur se në këtë takim u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për mospërshkallëzim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të marrëveshjes bazike e aneksit të zbatimit.

Kurti, sipas njoftimit, tha se vetëm sundimi i ligjit mund t’u hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore.

“Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore”, ka thënë Kurti.

Në bisedimet me Kurtin, Escobar dhe Lajçak propozuan tri kërkesa: zgjedhje të reja, qetësim të situatës dhe rikthim te dialogu me Serbinë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë