Kosova

Kurti para takimit në Bruksel: S’ka dialog pa u sanksionuar Serbia

Nga Gazeta ‘Si’-Një ditë para takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se “padyshim se nuk do të ketë dialog” nëse Serbia nuk dënohet dhe sanksionohet për “çfarë ka bërë”, duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, do të qëndrojnë në Bruksel me ftesë të Bashkimit Evropian.

Duke folur për Financial Times Kurti tha se “do të përfundojmë me një menaxhim të dështuar të krizës dhe do ta harrojmë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve, nëse Serbia nuk sanksionohet.”

Kurti, po ashtu, i akuzoi sulmuesit e Policisë së Kosovës gjatë sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, se u përpoqën “ta nisin një konflikt të ri të armatosur, një luftë të re në Kosovë për ta aneksuar pjesën veriore të vendit”.

Kosova e ka akuzuar vazhdimisht Serbinë se tentoi aneksimin e veriut të vendit, gjë që është mohuar nga Beogradi.

Kryeministri kosovar theksoi se pas sulmit të muajit të kaluar “çdo gjë ka ndryshuar. Ne nuk mund të vazhdojmë normalisht.”

Ai i bëri thirrje përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të mos “e cilësojë më Serbinë si forcë mbinatyrore, një lloj ariu të paarsyeshëm të cilin duhet ta ushqejmë me qengja për ta qetësuar. Kjo duhet të marrë fund për hir të normalizimit, paqes dhe sigurisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë