Kosova

Kurti-opozitës: Krenar për 4 vite qeverisje! As liberalizimin e vizave dhe as njohjet e reja nuk i kemi premtuar në fushatë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në bilancin e 4 viteve qeverisje në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke iu përgjigjur kritikave të opozitës deklaroi se është krenar për mandatin e tij qeverisës.

“Qëndroj para jush sot me krenari dhe vetëbesim për këtë katërvjeçar të qeverisjes sonë, që ka qenë me plot të arritura dhe më shumë sfida se zakonisht jemi mësuar. Është një histori ndryshimesh që e prekin jetën e përditshme të gjithë qytetarëve të secilës kategori shoqërore. Këto histori suksesi flasin për një ardhme më të mirë që nuk e përjashton askënd. Shifrat që do t’i prezantoj kanë shpirt, pasi ato kanë vënë në lëvizje mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e tyre dhe mundësitë për të ardhmen”, tha Kurti.

Duke folur për sundimin e ligjit dhe luftën ndaj korrupsionit, Kurti tha se gjatë mandatit të tij janë arrestuar 300 zyrtarë publik.

Ai përmendi mbylljen e strukturave paralele serbe në veri dhe shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”.

Sa i përket politikës së jashtme dhe mungesës së njohjeve të reja, Kurti tha se këto të fundit nuk i ka premtuar në fushatën zgjedhore të vitit 2021.

Sipas tij, në program qeverisës vihet në pah më shumë punësimi dhe drejtësia.

“Unë e di që jemi kritikuar pse nuk ka njohje të reja. Por duhet të kuptoni edhe një gjë, as liberalizimin e vizave dhe as njohjet e reja s’i kemi prezantuar në fushatë. Në fushatë kemi premtuar punësim dhe drejtësi. Neve duhet të na matni për zotimet që i kemi dhënë në fushatën e vitit 2021 dhe pastaj në programin qeveritar”, theksoi Kurti.

Krahas kësaj, Kurti përmendi edhe arsimin dhe infrastrukturën si sukses në mandatin e tij qeverisës.

Ai tha se ekonomia ka shënuar rritjen më të madhe në këto 3 vitet e fundit, që është 6.36 për qind e bruto produktit vendor.

“Kemi ulur borxhin publik, borxhin e kemi zbritur në nivelin prej vetëm 17 për qind apo për çerekun më të vogël, sesa që e kemi gjetur. Papunësia, që dikur ndjehej si një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënë nga 25. 8 për qind në 10.7 për qind. Sfidë që na mbetet në këtë aspekt është aktivizimi më i madh i grave”, tha kreu qeveritar para deputetëve.

Sipas tij në ditën kur mori postin e kryeministrit në marsin e 2021-tës, kishte 350 mijë të punësuar ndërsa sot janë 430 mijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë