Gazeta Si – Qeveria e Kosovës vendosi uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke shfuqizuar vendimin e marrë në kohën kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj. Vendimi i qeverisë së Albin Kurtit ka shkaktuar menjherë reagimin e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.
Kështu, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka vendosur që të reduktojë shërbimet në gjykata dhe të pezullojë çdo bashkëpunim apo aktivitet ku prezentë janë përfaqësues të Qeverisë, për shkak të vendimit të fundit për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj në një konferencë për medie, se këshilli ka qenë i detyruar të ndërmarrë këto vendime, ndërkohë ka paralajmëruar të tjera masa nëse Qeveria nuk e tërheq vendimin për pagat.
“Nëse nuk e anulon vendimin, KGJK do të vendosë më 8 dhjetor për masat e tjera”, ka thënë Zogaj.
Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Jetish Maloku, ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm ku është diskutuar vendimi i Qeverisë për përgjysmimin e pagave të prokurorëve.
KPK-ja ka bërë të ditur se në fillim të këtij takimi, anëtaret e KPK-së dhe kryeprokurorët e prokurorive të Kosovës një zëri kanë vlerësuar se vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është vendim antikushtetues dhe kundërligjor, si dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial.
“Nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe kryeprokurorët e prokurorive”, thuhet në njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




