Kosova

Kurti: Ndërkombëtarët s’më thanë ‘mos bëj zgjedhje’. S’mund t’u them kryetarëve të mos rrinë në zyrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pranishëm në forumin e Bratisllavës tha se situata në Veri nuk është rrjedhojë e protestave të qytetarëve por njerëzve të armatosur me simbole të Rusisë.

Kurti tha se do ishte mirëkuptues nëse banorët serbë të komunave veriore do të protestonin paqësisht për të kërkuar përsëritje të zgjedhjeve. Por, shtoi se qeveria e Kosovës nuk do ta dorëzojë kurrë republikën demokratike tek fashistët që dhunojnë policinë dhe thërrasin “vrite, vrite”.

Ai mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti.

Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”.

Kurti u shpreh se nuk mund t’u kërkojë kryetarëve të komunave të mos qëndrojnë në zyrat e tyre për sa kohë janë zgjedhur me votë.

“Ka diskutime por jo gjithmonë mund të biem dakord me diçka. Ndërtesat e komunave i përkasin republikës së Kosovë. E kuptoj që nuk duhet të ketë shumë policë por përpara kësaj nuk duhet të ketë kriminelë jashtë ndërtesës. Për anëtarët e KFOR të plagosur ka shumë përgjegjës por nuk ka njeri në burg. Ata që kanë bërë këto veprime duhet të shkojnë në  burg.

Të tilla krime nuk duhet të përsëriten. Duhet të kemi komunikim. Ne po e bëjmë këtë gjë sa i takon këtyre ndërtesave. Unë nuk mund të ulem në zyrën time si kryeministër dhe t’u them kryetarëve të komunave se ju nuk mund të qëndroni në zyrat tuaja. I kemi urdhëruar të gjithë njerëzit. Ministri im i Financës duhet të bashkëpunojë me të gjithë kryetarët e komunave. Të ardhurat e tyre janë të vogla dhe kanë nevojë për qeverinë qendrore”, u shpreh Kurti.

Ai tha se ndërkombëtarët nuk e paralajmëruan të mos bënte zgjedhje dhe e pranuan procesin në një koncept të gjerë.

“Në demokraci ligji duhet të jetë mbi politikën dhe duke bërë politikë në një pikë të caktuar bëhet fjalë për zgjedhje të parakohshme. Komuniteti ndërkombëtar në një koncept të gjerë e pranoi procesin zgjedhor dhe rezultatin e tyre. Nëse komuniteti ndërkombëtar do më kishte thënë mos bëj zgjedhje sepse nuk ka rrethana, atëherë do të flisnim për politikë. Tani politikisht unë po bëj atë që po bëj nga mungesa e fuqisë. Nuk ka një metodë tjetër”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë