Kosova

Kurti nga Berlini: Nga 1 janari Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjes

Nga Gazeta 'Si'-Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë me karta identiteti për të gjithë qytetarët e Bosnje e Herecegovinës.

Përkundër marrëveshjeve të arritura, qytetarët e të dyja vendeve, aktualisht, duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respektive.

Duke folur në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në kryeqytetin gjerman, Kurti tha se ky projekt ka sjellë përparim të rëndësishëm deri më tani, por se duhen “edhe më shumë veprime”.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime - të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament - unë kam vendosur t'i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.

“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, tha ai.

Marrëveshja për lëvizje të lirë me karta identiteti mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është arritur në vitin 2022.

Teksa qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me karta identiteti në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, ata duhet të pajisen me viza për të shkuar në Bosnje e Hercegovinë. Ngjashëm, edhe ata të Bosnjës që duan të hyjnë në Kosovë.

Kjo, për faktin se Bosnje e Hercegovina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizje të lirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë