Kosova

Kurti në samitin e Sllovenisë: BE, padrejtësi me mos heqjen e vizave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte I ashpër në samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Slloveni.

Kurti shfaqi pakënaqësi mbi situatën lidhur me liberalizimit të vizave duke thënë që BE nuk është treguar e drejtë.

“Kanë kaluar më shumë se 3 vite që kur Komisioni Evropian ka rekomanduar për herë të dytë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ka qenë një padrejtësi e madhe, mungesë e drejtësisë kundrejt qytetarëve tanë që kanë vuajtur shumë. Ne kemi shpresë që ky samit, do ta bëjë BE-në të qëndrojë besnike në thelbin e saj, ky është zgjerimi i saj, si projekti më i rëndësishëm politik dhe historik i paqes dhe prosperitetit që nga Lufta e Dytë Botërore. BE-ja duhet të vazhdojë me zgjerim që të jetë Evropë. Gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor është rajoni që i mungon Bashkimit Evropian të bëhet Evropë. Ne jemi në Evropë, por Bashkimi Evropian duhet të bëhet Evropë”.

Kurti ka thënë se janë 5 vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, dhe shpreson që së shpejti ato do ta njohin si vendet e tjera të BE-së.

“Lidhur me BE-në, ne jemi kritikë. Unë advokoj për mungesën e frikës nga BE-ja dhe mungesën e hidhërimit nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbaj qëndrim kritik, pasi mendoj që situate mund të ishte më mirë. Por sërish kam shpresa që BE po qëndron besnik ndaj parimeve të saj”, tha ai.

Kurti shtoi pas pyetjeve të gazetarëve lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, që e vetmja zgjidhje afatgjatë dhe e qëndrueshme, është njohja reciproke midis dy republikave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë