Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbetur i vetëm në betejën për tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe. Kërcënimi i SHBA-së për tërheqjen e prezencës ushtarake shënon përshkallëzimin më të madh të tensioneve mes Kosovës dhe SHBA-së.
Nuk janë të paktë zyrtarët që kanë paralajmëruar se nëse Kurti nuk tërhiqet nga vendimi për taksat, SHBA mund të mbyllë bazën e Bondsteelit, ku janë përqendruar pjesë më e madhe e forcave amerikane në Kosovë. Kjo bazë dhe prania e ushtrisë amerikane është parë ndër vite si siguri për pavarësinë e Kosovës dhe mbrojtën e saj nga Serbia. Por kjo mund të ndryshojë.
Presioni amerikan për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe ka nisur të bëhet i papërballueshëm për qeverinë “Kurti”. Madje, sipas raportimeve të mediave, Amerika ka nisur edhe anulimin e investimeve në Kosovë. Propozimi i Kurtit për heqjen e pjesshme të taksës (më 15 mars) dhe më vonë të hiqet e plotë (më 1 prill), përveç SHBA-së, nuk e ka përkrahur as spektri politik në Kosovë, përfshirë edhe partneren e kryeministrit në koalicionin qeverisës, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, pas paralajmërimeve amerikane, Kurti ka zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan në Kosovë Philip Kosnett dhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Rahman Ramën. Pas tyre Kurti pati edhe një takim të jashtëzakonshëm me ministren e Ekonomisë Rozeta Hajdarin, të cilën e kishte autorizuar që të udhëheqë një grup punues për heqjen e taksës dhe për përgatitjen e reciprocitetit me Serbinë. Në një deklaratë për mediat, kryeministri Kurti ka theksuar se dëshiron marrëdhënie edhe më të mira me Amerikën.

“I kemi aleatë dhe partnerë të pazëvendësueshëm në aspektin politik, ekonomik, gjeopolitik, kulturor, ushtarak e të tjera. Natyrisht që zyrtarë të ndryshëm mund të kenë diferenca, por nuk besoj se këto diferenca do të mundë të shndërrohen në antagonizma të papajtueshme”, tha ai.
Kurti tha se i duhet edhe pak kohë për t’u koordinuar me partnerët e koalicionit që më pas vendimi i Qeverisë të merret me vota unanime. Por LDK-ja nuk ka gjasa të mbështesë Kurtin.
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni është takuar në Uashington, me të dërguarin presidencial për bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë, ambasadorin, Richard Grenell. Ai ka thënë se Shtëpia e Bardhë dhe ambasador Richard Grenell, kërkojnë me ngulm heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe.
“Amerika nuk mund ta mbrojë Kosovën nga vetvetja, përkatësisht nga sjelljet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe liderëve të saj. Ky ishte mesazhi i ambasadorit Grenell”, thotë Hyseni.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-ministri i LDK-së tha se e ka siguruar ambasadorin Grenell “se LDK- dëshiron që taksa të hiqet menjëherë dhe pa kushte, ashtu siç kërkohet nga presidenti amerikan, Donald Trump.”
Më pas edhe Kryetari i LDK-së Isa Mustafa i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurtit heqjen e menjëhershme të taksës. Ai shprehet se raportet me SHBA-në kanë hyrë në një fazë shumë delikate, por edhe kritike. “S’ka tarifë, as reciprocitet që vë në peshore marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor. Si kryetar i LDK-së kam kërkuar qartë për heqjen e pa kushte të tarifës. Ky është qëndrimi dhe zëri i LDK-së”, tha ai.

Ndër të tjera ai ka thënë se ditëve në vijim, bashkë me Vetëvendosjen, do t’i bashkërendojnë veprimet për ruajtjen e marrëdhënieve me SHBA-në. “Do të bashkëbisedoj me kryeministrin Kurtin, si partner i koalicionit dhe si LDK në ditët në vijim do t’i bëjmë të qarta veprimet, të cilat e ruajnë partneritetin dhe miqësinë me SHBA-në”, ka përfunduar Mustafa.
Por më i ashpri në qëndrimin e tij kundër Kurtit ka qënë presidenti Hashim Thaci i cili ka paralajmëruar kryeministrin se të gjithë ata që dalin kundër miqësisë me SHBA-në dalin shpejt “në pension”.
Thaçi ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në linjë me kërkesat e SHBA-së. “Si president i Republikës së Kosovës i kërkoj urgjentisht Qeverisë së Republikës së Kosovës që të mblidhet dhe të marrë vendime në përputhje me kërkesat zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mjaft e keni cenuar lidhjen tonë speciale me SHBA-në, pa të cilën nuk do ta kishim as lirinë, as shtetin dhe as të ardhmen”.
Kurti thotë se theksoi se cënimi i raporteve me SHBA-në do të jetë një gabim i pafalshëm.
“Me këtë qasje po vihet në pikëpyetje edhe vetë e ardhmja e shtetit tonë. Të gjithë ne, krerë institucionesh, liderë politikë ose Qeveri, jemi të zëvendësueshëm. Por jetike dhe të pazëvendësueshme për Republikën e Kosovës janë vetëm raportet me SHBA-në. Konfrontimi me SHBA-në është shumë i dëmshëm dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




