Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka kërkuar kancelares Angela Merkel dhe Bashkimit Europian të bëjnë detyrat e shtëpisë, duke mbajtur premtimet e dhëna, duke thënë se Kosova duhet të bëjë detyrat e saj, sa i përket përmbushjes së reformave.
Komentet erdhën gjatë takimit të Procesit të Berlinit, kur tha se ky proces, shtatë vjet më parë u krijua në sfondin e sfidave gjeopolitike dhe pasigurive në rajon dhe në kohën kur anëtarësimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor duhej i largët. Por, sipas Kurtit, as pas shtatë vjetësh, situata nuk ka ndryshuar shumë.
“Kjo shtron nevojën për veprime të guximshme si nga BE-ja, ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për të ripërtërirë përkushtimin dhe për të forcuar lidhjet të cilat do të përshpejtonin reformat”, tha Kurti.
Gjatë fjalës së tij, Kurti po ashtu ka thënë se si kryeministër i një shteti, qytetarët e të cilit “mbahen të izoluar, duke mos iu lejuar liberalizimi i vizave”, e kupton frustrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për moshapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Procesi i Berlinit, një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane, Angela Merkel, filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




