Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u ka thënë ambasadorëve të vendeve të QUINT-it se sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit është i ngjashëm me sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës.
“Kryeministri Kurti theksoi se qëllimi i këtij sulmi ka qenë dëmtimi i prodhimit të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në pjesën më të madhe të vendit, duke qenë sulmi i tretë në 72 orë kundër Republikës sonë, pas atyre të 26 dhe 28 nëntorit në stacionin policor në Zveçan dhe në afërsi të objektit të kësaj Komune.
Kurti tha se një sulm të tillë të ngjashëm ndaj infrastrukturës kritike e kemi parë pak ditë më parë edhe kundër infrastrukturës kritike të Ukrainës, e cila u sulmua nga raketat ruse. Shtoi se indikacionet tregojnë se sulmi është kryer nga grupe e persona profesionistë e të mbështetur e dirigjuar nga Serbia”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për takimin e Kurtit me ambasadorët që u mbajt të hënën.
Kurti i ka informuar diplomatët se Policia po zhvillon hetimet, “gjersa tashmë ka të arrestuar të dyshuar të ndërlidhur me sulmin e përgjegjës për ekzekutimin e tij, si dhe dëshmi e prova materiale, ndër to edhe armë, eksplozivë e uniforma dhe emblema të njësive ushtarake ruse”.
“Kryeministri nënvizoi se kriminelët e terroristët do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kurti ka folur edhe për rëndësinë e ekstradimit të Milan Radoiçiçit.
“Më tej, foli edhe për rëndësinë e ekstradimit dhe arrestimit të kryekriminelit dhe kryeterroristit Milan Radoiçiç i cili vazhdon të jetë i lirë në Serbi, duke organizuar e planifikuar me mbështetjen edhe të Beogradit zyrtar dhe Presidentit Aleksandar Vuçiç, sulme në vazhdimësi ndaj Republikës së Kosovës. Serbia vazhdon të mbështesë grupet terroriste me armë, financa dhe logjistikë, që solli që pas sulmit në Banjskë të pasojnë edhe sulme të tjera, përfshirë edhe aktin e fundit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit”, thuhet njoftim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.