Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, duke nderuar viktimat e njërit prej krimeve më të rënda të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Gjatë homazheve, Kurti theksoi se Masakra e Reçakut ishte moment kyç në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer nga shteti serb ndaj popullit shqiptar në Kosovë.
“Para 27 vjetëve këtu nga Reçaku, nëpërmjet ambasadorit William Walker u jehua e vërteta për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe krimin e gjenocidit të kryer nga Serbia si shtet ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Pas Masakrës së Reçakut u ndërgjegjësua dhe u mobilizua opinioni publik ndërkombëtar dhe kancelaritë diplomatike perëndimore,” tha Kurti.
Ai shtoi se masakra e Reçakut është ende një plagë e hapur, e cila ende pret drejtësi, duke ritheksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të ndjekur penalisht autorët e krimeve.
“Jemi këtu për të shprehur dhembjen tonë, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë se gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar për mizoritë e kryera para 27 vjetësh,” u shpreh Kurti teksa shtoi lavdi 45 martirëve të Reçakut dhe 11 dëshmorëve të kombit, të udhëhequr nga komandanti Ahmet Kaçiku.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga Kompleksi Memorial në Reçak, tha se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmia e gjallë se Serbia synonte që të zhdukte popullin shqiptar nga ‘faqja e dheut’.
“Në këtë 27-vjetor të Masakrës së Reçakut, edhe një herë kujtojmë viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh.
Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.
Osmani themelet e shtetit të Kosovës janë të forta dhe kjo u bë falë sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve të UÇK-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



