Kosova dhe Serbia këtë vit synojnë të arrijnë një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve.
Këtë e bëri të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Euractiv, ku bëri të qartë se kjo nuk do të jetë aq e lehtë, pavarësisht ndërmjetësimit nga Perëndimi.
“Neve na duhet normalizimi i marrëdhënieve dhe kjo do të mund të arrihet me njohje reciproke si pikë kryesore”, shtoi Kurti.
Ai ka thënë se Beogradi ka theksuar se nuk do ta njohë formalisht pavarësinë e “ish-krahinës”, teksa thotë se do të mund të pajtohen me njohjen de fakto.
Këto komente Kurti i bëri para takimit të rëndësishëm që do ta ketë sot në Bruksel, ku pritet që liderët e Kosovës e Serbisë të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.
Propozimi i përditësuar i BE-së është pranuar nga të dyja palët para fillimit të samitit të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur në dhjetorin e kaluar në Tiranë, por që thuhet se kjo nuk është bërë publike ende.
I pyetur për perspektivën e përfundimit të një marrëveshjeje deri në fund të këtij viti, sipas afatit kohor që është përcaktuar në propozimin e BE-së, Kurti tha, “sigurisht që synimi është që kjo marrëveshje të arrihet këtë vit”.
“Ajo që ka mbetur për të negociuar nuk është e lehtë, është një mekanizëm për implementim, garanci ndërkombëtare dhe sekuencë kohore se çfarë, si dhe kur”, përfundoi Kurti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




